FAQ

Çka është nyja shkëmbyese e Internetit (IX)?

Nyje shkëmbyese e internetit konsiderohet një vend në të cilin ofruesit e shërbimeve të Internetit (ISP) lidhen dhe shkëmbejnë trafikun në mes tyre. Për shembull në qoftë se një klient i lidhur me ISP A dëshiron të vizitoj një faqe e cila ndodhet në një server në rrjetin e menaxhuar nga ISP B, trafiku do të rrjedh nga ISA A në IX dhe më tej në serverin që ndodhet në rrjetin e ISP B. Një IX mund të konsiderohet si pjesë e rrjetit neutral që bën ndërlidhjen e ISP-ve.

Euro-IX (Organizata Evropiane e nyjeve shkëmbyese të Internetit) ka miratuar përkufizimin për industrinë e IXP-ve si:

-       Një infrastrukturë fizike që operohet nga një entitet i vetëm me qëllim për të lehtësuar shkëmbimin e trafikut të Internetit në mes të sistemeve autonome (AS). Numri i sistemeve autonome të lidhura në IXP duhet të jetë së paku tre (3) dhe duhet të ketë një politikë të qartë dhe të hapur për sistemet tjera që dëshirojnë të bashkohen/lidhen.

Çfarë është topologjia e KOSIX-it?

Aktualisht KOSIX posedon katër switcha të konfiguruar, një ruter dhe një server për menaxhimin/monitorimin e rrjetit të lidhura me fije optike dhe të vendosura në objektet e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. 

                                         

 

Kush mund të lidhet në KOSIX?

Cilido ofrues i shërbimeve të Internetit i cili posedon numër të sistemit autonom – AS. Në Evropë numrat AS menaxhohen nga RIPE. Mund të lexoni më shumë për numrat AS në linkun http://www.ripe.net/ripe/docs/asn-assignment.html

Çfarë fitoj nëse lidhem në rrjetin e KOSIX?

Ju merrni një port në një nga switch-at e KOSIX, dhe një IP adresë në rrjetin neutral. Kjo do të iu mundësojë që të krijoni peering/lidhje me anëtarët tjerë të KOSIX.

Ju nuk merrni qasje në Internet duke u lidhur në KOSIX.

Çka është Peering?

Peering është përdorur për përshkruar lidhjen fizike në mes të dy ISP-ve. Lidhja apo peering në mes të dy ISP-ve të ndryshme bëhet me marrëveshje bilaterale mes tyre. Nuk ka ndonjë rregullore e cila e obligon ISP-në që të lidhet me të gjitha ISP-të tjera të lidhura në KOSIX. Varet nga kërkesa individuale e ISP-ve se më kë dëshirojnë të lidhen.

Çka është peering privat?

Peering privat është term i përdorur për të përshkuar lidhjen në mes të dy ISP-ve që bëhet direkt nga një ISP në tjetrin. Në këtë rast trafiku nuk kalon nëpër KOSIX.

Çka është transiti?

Transiti është term i përdorur për të përshkruar pjesën e trafikut që transportohet nga të tjerët në destinacione jashtë rrjetit të tyre. Trafiku ndërkombëtar është një shembull i trafikut transit. 

A ofrohet transiti nga KOSIX?

Jo! Nuk lejohet transiti i trafikut nëpërmjet switcha-ve të KOSIX-it. KOSIX shërben vetëm për të krijuar lidhje/peering në mes të ISP-ve/organizatave në Kosovë. Ju mund të siguroni transitin nëpërmjet ISP-ve përkatëse të cilat ofrojnë një gjë të tillë.

 

Çfarë ju nevojitet të keni për të qenë anëtar në KOSIX?

Së pari ju duhet të keni AS numër (të cilat menaxhohen nga RIPE). Më pas, duhet të plotësoni “marrëveshjen për lidhje në KOSIX”, që është kontrata në mes jush dhe ART-së si organ menaxhues i KOSIX.

 

Çfarë ndodh nëse ka ndërprerje të energjisë elektrike apo ndërprerje të switch-it?

Në qoftë se ndodh të ketë ndërprerje të furnizimit me energji në KOSIX dhe dy sistemet backup të furnizimit me energji elektrike (bateritë dhe gjeneratori) gjithashtu dështojnë apo ka ndërprerje të switch-it, lidhja në mes të anëtarëve të KOSIX bie. Pasi që KOSIX nuk ofron trafik transit (që mund të jetë trafik ndërkombëtar), në këtë rast i gjithë trafiku kombëtar ridrejtohet automatikisht te linjat ndërkombëtare që operatorët kanë, apo në qoftë se dy operatorë kanë lidhje private atëherë shkëmbimi i trafikut mes tyre bëhet nëpërmjet linjës private. Kur KOSIX kthehet në gjendjen normale të operimit, shkëmbimi i trafikut ridrejtohet automatikisht përsëri përmes KOSIX.  

A do të ketë rënie të Internetit në Kosovë në qoftë se ka probleme në KOSIX?

JO! Siç u sqarua më sipër, mund të ketë ndërprerje të shkurtër derisa trafiku kombëtar të ridrejtohet automatikisht te linjat  transite të operatorëve. Gjithashtu mund të ketë ngadalësim të shpejtësisë, në qoftë se rrugimi i trafikut kombëtar bëhet nëpërmjet linjave ndërkombëtare.


Çfarë sistemi të mbrojtjes së furnizimit me energjisë elektrike ka KOSIX?

KOSIX është i furnizuar me bateri të cilat ofrojnë furnizim me energji elektrike deri në 24 orë në qoftë se ka ndërprerje të energjisë elektrike të cilat aktivizohen automatikisht në rast të ndërprerjeve. Përveç baterive KOSIX është I pajisur edhe me gjenerator elektrik që bën furnizimin me energji elektrike të gjithë hapësirës fizike të KOSIX.

Pra KOSIX ka tre burime të ndryshme të furnizimit me energji elektrike. E para është furnizimi i zakonshëm me rrjetin elektrik të qytetit. Në rast të ndërprerjes së energjisë aktivizohen automatikisht bateritë dhe alternativa e tretë në rast të dështimit të dy të parave është gjeneratori elektrik. 


 Anëtarë në:

Skedarët


 
Foto te ndryshme te Nyjes Shkembyese te Internetit
Raportet e Nyjes Shkembyese te Internetit
Dokumente nga KOSIX
Raporte te Ndryshme