Lajmet

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART) me qëllim të:

-  jetësimit të dispozitave të Ligjit të Telekomunikacionit Nr. 2002/7, të ndryshuar me Ligjin Nr03/L-085 për promovimin, krijimin e kushteve të barabarta dhe një ambient të favorshëm për një konkurrencë të mirëfilltë për të gjithë ofruesit e shërbimeve të internetit;

-  realizimit të synimeve të parapara me dokumentin e Politikave të Sektorit të Telekomunikacionit për krijimin e nyjave të përbashkëta në mes të Ofruesve të Shërbimeve të Internetit (ISP);

-  përmbushjes së objektivit të ART-së, për të ndjekur parimet dhe principin e mbrojtjes së interesit të përdoruesve të shërbimeve telekomunikuese;

ka realizuar me sukses projektin për; Krijimin e Nyjës Shkëmbyese të Internetit (KOSIX), të parën e këtij lloji në Republikën e Kosovës. Në jetësimin e këtij projekti me rëndësi të madhe për Kosovën, përveç implementimit të projektit, ART ka ndërmarrë edhe një sërë aktivitetesh tjera në aspektin e adoptimit të legjislacionit sekondar rregullator siç janë miratimi i rregullores për funksionimin e KOSIX, urdhëresës për vendosjen e kushteve shtesë për ofruesit e shërbimeve të internetit, vendimin për krijimin e nyjës shkëmbyese të internetit dhe administruar këshillimin publik me të gjitha palët e interesit.

Për më tepër, ky projekt nuk do mund të realizohej pa kontributin e çmueshëm dhe të vazhdueshëm të agjensionit amerikan për ndihmë dhe zhvillim ndërkombëtar (USAID) të ofruar përmes programit të tyre Programi për Ndërmarrje Private në Kosovë (KPEP), Qeverisë Norvegjeze respektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të ofruar përmes Ambasadës Norvegjeze në Republikën e Kosovës, CISCO Systems International BV, dhe Universitetit të Prishtinës të cilët kanë ofruar hapësirën adekuate brenda ambienteve të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Implementimi i projektit, gjegjësisht punët e renovimit, instalimet elektrike dhe të klimatizimit kanë filluar gjatë muajit tetor 2010 dhe kanë përfunduar ne dhjetor 2010, ndërsa deri ne fund të muajit mars 2011, të katërt (4) ISP-të kryesore që mirëmbajnë dhe operojnë lidhjet ndërkombëtare për ofrimin e shërbimeve te internetit kanë realizuar me sukses kyçjen në infrastrukturën e KOSIX.

Me datat; 18 deri 26 prill, 2011, përmes asistencës së pranuar nga eksperti ndërkombëtar, z. Nathan Lynch i ardhur me angazhim dhe përkrahje të USAID/KPEP është bërë i mundur edhe konfigurimi i pajisjeve dhe testimi final i funksionimit të KOSIX.

Me qëllim të njoftimit të audiencës së gjerë, është e rëndësisë së veçantë të theksohet se ART ka kryer një hulumtim rreth shkëmbimit të trafikut në mes ISP-ve para kyçjes në punë të KOSIX (baseline research) dhe pas kyçjes se saj (post-baseline research).

Rezultatet kane treguar se pas hyrjes në funksion të KOSIX shpejtësia e shkëmbimit të trafikut ndërmjet ISP-ve të kyçur në KOSIX është përmirësuar ndjeshëm dhe atë në masën krahasuese deri në 12 herë.

Përparësitë e KOSIX janë të shumta, e ndër me të rëndësishmet është avancimi i sigurisë dhe privatësisë së komunikimeve të Internetit duke e mbajtur trafikun lokal vendor ‘lokal’ brenda kufijve kombëtar, dhe jo duke i lëshuar kufijtë e Kosovës siç ka qenë rasti deri më parë, para hyrjes në funksion të KOSIX. Kjo e zvogëlon rrezikun përbërës që shfaqet gjatë dërgimit të të dhënave të ndjeshme përtej kufijve kombëtar dhe përmes shumë nyejve.

Për më tepër KOSIX ka edhe përparësi tjera si në vijim:

- Kostoja - shkëmbimi direkt i trafikut në mes të ofruesve të shërbimeve të internetit e zvogëlon mesataren e kostos për bit;

- Cilësia teknike – shkëmbimi direkt i trafikut krijon një rrugë më të shpejtë dhe direkte nga një lokacion lokal i Internetit në tjetrin, duke i zvogëluar vonesat (latency) dhe problemet tjera teknike;

- Qëndrueshmëria/elasticiteti – KOSIX e mundëson krijimin e marrëveshjeve të rutimit në mes të ISP-ve për të reduktuar kongjestionin dhe për të ofruar rrugë rezervë në rast të ndërprerjeve të rrjetit kryesor;

- Zhvillimi i tregut – KOSIX mund të promovojë zhvillimin e tregut të shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit (TIK) dhe shërbimeve të reja (p.sh. “hosting”, “cached services”, “time senzitive applications”, etj.) dhe shërbimeve që kërkojnë brez të gjerë dhe vonesa të ulëta (p.sh. shërbime në kohë reale dhe ato multimediale);

- Shërbimet për ISP-të – KOSIX do të ofrojë shërbime për anëtarët e vet (p.sh. raportimi i trafikut);

- Komuniteti – KOSIX është një mundësi e mirë për zhvillimin e projekteve edukative dhe hulumtuese që ndihmojnë zhvillimin e komunitetit lokal të Internetit dhe avancojnë tregun e TIK.

 Anëtarë në: